Kabineti i kontrollit bazë falas 40-65 vjeç mbërrin edhe në Përmet

big_permet

Përmet, 17/05/2015 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, vizitoi sot (e diel, 17/05/2015) kabinetin e porsainstaluar të programit të kontrollit bazë falas 40-65 vjeç në qendrën shëndetësore të qytetit të Përmetit.

Në takimin e organizuar me mjekë, infermierë e punonjës të kësaj qendreje shëndetësore, Ministri Beqaj, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Përmetit, z. Gilbert Jaçe, u shpreh se “tashmë me shtrirjen e zbatimt të programit shëndetësor bazë pa pagesë për grupmoshat 40-65 vjeç, kemi hedhur një hap konkret të rëndësishëm për të siguruar Mbulim, Akses dhe Cilësi Universale për kujdes shëndetësor në të gjithë territorin.”

Nëpërmjet këtij programi, vijoi më tej kreu i shëndetësisë, po arrijmë të sjellim qytetarët tek shërbimi i kujdesit shëndetësor parësor, duke e kthyer vëmendjen tek shëndeti dhe jo thjesht kur sëmuremi, por njëkohësisht sigurojmë edhe ballafaqimin e transparencën për cilësinë e kujdesit që ofrojnë profesionistët e shëndetësisë edhe në qendra të vogla si Përmeti.

Gjithashtu, sipas z. Beqaj, edhe receta elektronike do të jetë shumë shpejt një realitet në të gjithë Shqipërinë, dhe në Përmet. Zbatimi i këtij projekti do të sjellë patjetër shumë lehtësi për mjekët, por në të njëjtën kohë, do t’i bëjë ata më të ekspozuar ndaj kontrollit dhe do të rrisë shkallën e përgjegjësisë për cilësinë e shërbimit të ofruar.