Prezantohen gjetjet e para të Programit të Kontrollit Mjekësor Bazë

si-je-foto
Prezantohen për herë të parë gjetjet dhe rezultatet e Programit të Kontrollit Mjekësor Bazë 40-65 vjeç, në Konferencën: “Aksesi universal në shërbime dhe mjekësia e familjes: Sëmundjet kronike në fokus,”  ku merrnin pjesë ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, zv.ministrat e Shëndetësisë, znj. Milva Ekonomi dhe z. Klodian Rjepaj, drejtues të shërbimeve universitare, mjekë familjeje etj.
“Pjesa më e madhe e personave që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë jane gra dhe grupmosha me frekuente është ajo 55-65 vjeç”, u shpreh ministri Beqaj. Nga të dhenat e para rezulton se, rreth 18% e personave që kanë kryer analizat e kontrollit mjekësor bazë, kanë hipertension dhe nuk e kanë ditur më herët që vuajnë nga kjo sëmundje. Ndërsa 4% rezultojnë diabetikë pa e ditur dhe 12.5% paradiabetikë. Kontrolli mjekësor bazë ka pikërisht këtë synim: diagnostikimin në stade të hershme të sëmundjeve.
Më poshtë, fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencën: “Aksesi universal në shërbime dhe mjekësia e familjes: Sëmundjet kronike në fokus,” ku u prezantuan për herë të parë gjetjet e para dhe rezultatet në kuadrin e zbatimit të Programit të Kontrollit Mjekësor Bazë 40-65 vjeç.
Nëntori është muaji, ku botërisht, një vëmendje më e veçantë i kushtohet sëmundjes së diabetit. Në fakt, të shtunën e ardhshme, me datë 14, është Dita Botërore e Diabetit, një sëmundje, e cila tashmë në vendet e zhvilluara ka përmasat e një epidemie, dhe sigurisht, që në Programin e Kontrollit Shëndetësor Bazë, pa pagesë (40-65 vjeç), edhe kontrolli për diabetin, ka një vemendje të veçantë.
Sigurisht që, siç e parashtroi edhe zëvendësministri (z. Klodian Rjepaj, Zëvendësministër i Shëndetësisë), i cili në fakt është, ndoshta, një nga protagonistët kryesorë të këtij projekti që sot është realitet, por që prej dy vjetësh, ka qenë një nga prioritetet kryesore të programit të ministrisë, dhe sigurisht, unë së pari, dua të falenderoj të gjithë personelin mjekësor, që tashmë prej disa muajsh e ofrojnë këtë shërbim çdo ditë në të gjithë qendrat shëndetësore, apo le të themi, në shumicën dërrmuese të qendrave shëndetësore të kujdesit parësor në Shqipëri, sepse në disa zona të largëta, ne këtë shërbim e ofrojmë me disa njësi mobile.
Falënderim i veçantë shkon edhe për operatorin privat, i cili ka një marrëveshje 10-vjeçare partneriteti publik-privat me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe që e realizon mbështetjen logjistike që kjo makineri kombëtare të funksionojë çdo ditë.
Gjithashtu, falënderimi shkon edhe për Fondin (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor), i cili është, praktikisht, ndjekësi i përditshëm i realizimit të këtij shërbimi dhe i zbatimit të detyrimeve kontraktore.
Ku jemi sot?
Sot, pas disa muajsh, kemi arritur që të kemi deri në tetor një pjesëmarrje mbi 30 mijë veta në muaj. Nga të dhënat e ditëve të para të nëntorit, besoj se këtë muaj do të kemi rreth 35 mijë vetë. Por, ajo që dua të paraqes, fillimisht, është fakti se për dy tregues shumë të thjeshtë, që janë kryesisht demografikë, ka një pjesëmarrje shumë më të madhe të grave se sa të burrave. Praktikisht, raporti është 65% me 35%. Dhe së dyti, ka një pjesëmarrje më të madhe të grupmoshës 50-65 vjeç, se sa të asaj 40-50 vjeç.
Megjithatë, ky program, në fakt, synon që të vendosë më shumë në fokus kujdesin shëndetësor parësor; të vendosë më shumë në fokus shëndetin përpara se të shkojmë te sëmundja; të vendosë më shumë në fokus qytetarin, përpara se ai të jetë pacient; të vendosë më shumë në fokus parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm se sa kurimin apo rehabilitimin.
Dhe ky kontroll, njëherazi, ka tre synime kryesore:
(i) të vlerësojë riskun shëndetësor;
(ii) ta komunikojë me qytetarin riskun shëndetësor; dhe pastaj,
(iii) të ndërtojë urën për ta menaxhuar këtë risk shëndetësor, sigurisht për personat në grupmoshën 40-65 vjeç.
Programi përpiqet të adresojë në mënyrë sistematike 7 shkaqet madhore të vdekshmërisë së parakohshme: (i) hipertensionin arterial; (ii) obezitetin; (iii) duhanpirjen; (iv) kolesterolin; (v) dietën e varfër; (vi) inaktivitetin fizik; dhe, (vii) përdorimin e alkoolit.
Gjatë kontrollit vlerësohen 6 komponentët bazë për kontrollin shëndetësor: (i) sëmundjet kardiovaskulare; (ii) diabeti tip 2; (iii) shëndeti mendor; (iv) stili i jetesës, ku përfshihen ushqyerja, duhani, alkooli, aktiviteti fizik; (v) hipertensioni arterial; dhe (vi) analizat laboratorike për vlerësimin e gjakut, të urinës, të feçes për Ca të kolonit/rektumit, vlerësimin e zemrës dhe të mëlçisë.
Sigurisht, do të ketë prezantime të plota shkencore, por unë dua të ndalem në dy momente, që i vlerësojmë, – si ministri, – të rëndësishme për shëndetin publik, lidhur me çfarë kemi vënë re në këto muaj deri më tani.
Sot, do të ndalem kryesisht tek hipertensioni dhe diabeti.
Rezultojnë me hipertension 37% e njerëzve që kanë marrë pjesë në kontroll. Rreth 18% nuk e dinë që janë me hipertension, që do të thotë se kemi një shkallë shumë të lartë të sëmundjes në popullatë, që fillimisht, njerëzit nuk e dinë, dhe pastaj, nuk kemi kujdesin e duhur për sëmundjen.
Na rezulton gjithashtu, se 35% e njerëzve e dinë që janë me hipertension, por në ditën e kontrollit të kanë rezultuar prapë në gjendjen e kësaj sëmundje, që do të thotë, nuk mjekohen siç duhet.
Diabeti: 4% e personave që kanë bërë kontrollin rezultojnë me diabet dhe nuk e dinë. Dhe nëse ky 4% ka dalë nga grupmosha 40-65 vjeç, do të thotë që është dhe më e madhe përqindja e personave në Shqipëri që janë me diabet dhe nuk e dinë që janë me diabet. Ndërkohë, 12,5% e personave që kanë bërë kontrollin, vlerësohen si paradiabetikë.
Minimalisht, rezulton nga kontrollet që kemi një shkallë të lartë obeziteti; që do të thotë se e kemi të lartë shkallën e riskut. Ndërkohë që, nga të sëmurët që kemi ne sot të diagnostikuar me diabet, vëmë re se 30% e pacientëve me sëmundje të syrit, janë diabetikë; 30% e atyre që kanë sëmundje të veshkës dhe që bëjnë hemodializë, janë diabetikë; 30% e atyre që vuajnë nga hipertensioni, janë diabetikë; që do të thotë, kemi tashmë në rastet e këtyre sëmundjeve, disa sëmundje kronike bashkë.
Ne na rezulton sot, që shpenzimet mesatare vjetore vetëm për barnat e rimbursueshme të të sëmurëve me diabet, janë rreth 30 mijë lekë në vit. Ndërkohë që një kontroll bazë, kushton me gjithë tatimin mbi vlerën e shtuar 1845 lekë.
Pra, 16 kontrolle që bëjmë ne, janë sa kostoja vjetore vetëm për barnat e rimbursueshme për sëmundjen e diabetit.
Por në qoftë se thamë se kemi 12,5% paradiabetikë, dhe në qoftë se ne përpiqemi bashkërisht që, të paktën gjysmën e këtyre paradiabetikëve ta shtyjmë në vite arritjen te sëmundja, – se ndoshta nuk e shmangim dot përjetësisht, – do të thotë që e zbulojmë hershëm dhe përpiqemi ta shtyjmë, – pra, ai 30 mijë lekësh do të kursehet, por edhe sëmundja e syve, sëmundja e veshkave, hipertensionin, që kanë edhe ato koston e vetë ekonomike dhe sociale, do t’i shtyjmë në kohë.
Ka edhe një element tjetër të rëndësishëm, mendoj unë, që bashkë me këtë program, ne kemi filluar të paktën me ata njerëz që janë bërë pjesë e programit, ta ndërtojmë dosjen elektronike shëndetësore. Ashtu siç kemi filluar që, vetë mjeku i familjes, të fillojë të bëjë më shumë mjekësi dhe më pak burokraci, duke u përpjekur për t’i reduktuar pak nga pak disa procese që ishin burokratike, që i kishte kujdesi jonë shëndetësor parësor.
Kështu që, çfarë na duhet të bëjmë?
Sigurisht, ta konsolidojmë aktivitetin e përditshëm; të shtojmë mundësinë që mjekët e familjes, tashmë, të punojnë sa më të pavarur me rezultatet e kontrollit për qytetarët që ata trajtojnë. Dhe këtë besoj, brenda pranverës së ardhshme, do ta ofrojmë për çdo mjek në kujdesin shëndetësor parësor, sepse Fondi (FSDKSH) brenda vitit, do të jetë në gjendje t’i ofrojë çdo mjeku një kompjuter portabël, një printer dhe një lidhje Interneti për nevoja të recetës elektronike, por tashmë që do t’i kemi këto pajisje, keni aksesin tuaj në Internet, keni dhe regjistrin kombëtar të kontrollit bazë, do të mundet që vlerësimin pasi të dalin rezultatet e çdo qytetari, të mos ju duhet të shkoni ta bëni me kohë pritjeje, me grafik, tek kabineti i Check-Up-it, por ta bëni gjithsecili në zyrën tuaj.
Sigurisht, na duhet të punojmë për programe më të shënjestruara sensibilizimi, që do të thotë, duhet të bëjmë më të ndjeshëm burrat për të marrë pjesë në program, dhe duhet të bëjmë më të ndjeshëm grupmoshën 40-50 vjeç.
Por ndërkohë, besoj se na duhet të punojmë në gjykimin tim, për të rikonceptuar të gjithë kujdesin shëndetësor parësor, të paktën për dy gjëra:
(a) Sëmundjet që flasim, janë sëmundje shumë të përhapura, dhe padyshim nuk mund t’ia dalim vetëm me shërbimet universitare.
Është një sfidë e të gjithë territorit, që do të thotë, duhet të punojmë me ekipe multidisiplinare, për sa kohë na rezulton se kush e ka një sëmundje kronike, ka dhe më shumë se një të tillë;
(b) Dhe e dyta, besoj se, sidomos, pjesa e promocionit, e komunikimit, e këshillimit për faktorët e riskut, sot mund të jetë edhe detyrë që mund të kryhet nga skuadra edhe me infermierë, që janë sot në territor.
Besoj se nuk e kemi luksin, që mjekët që i kemi jo të mjaftueshëm në numër, për të cilët ata vetë apo e gjithë shoqëria, investojnë 10 vjet për t’u bërë mjekë, t’i përdorim edhe për gjëra që mund të realizohen sot, me infermierë që kanë një master, me personel paramjekësor.
Dhe ndoshta, vitin e ardhshëm, edhe duke shfrytëzuar mundësinë që na jep programi i ndihmës që financohet nga Qeveria Zviceriane fillimisht në dy qarqe, të mund të merremi edhe me këto probleme nga pikëpamja më cilësore.
Nuk dua të zgjatem më shumë, sepse dua t’i lë kohë prezantimeve, që ju garantoj se janë goxha më interesante se sa ajo çfarë unë parashtrova.
Faleminderit!