Kontrolli Mjekësor Bazë mbërrin në çdo cep të vendit

Ministri Beqaj përuron Njësitë e Lëvizshme të Check-Up në komunën Shkrel të Shkodrës

Dedaj, Shkrel, 24/05/2015 – Kontrolli Mjekësor Bazë falas për grupmoshat 40-65 vjeç mbërrin në çdo cep të vendit. Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga deputeti i PS-së për zonën e Malësisë së Madhe, prezantoi për herë të parë njësitë e lëvizshme të këtij programi të kontrollit mjekësor gjatë një vizite në Dedaj, të komunën Shkrel të Shkodrës.

Këto njësi të lëvizshme, sipas një kalendari të caktuar, do të mbulojnë të gjitha fshatrat që i kanë larg vendbanimet nga qendrat shëndetësore, dhe më pas të gjithë qarkun e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërinë.

“Ne jemi angazhuar t’ua ofrojmë shërbimin shëndetësor të gjithë njerëzve të kësaj grupmoshe që jetojnë në Shqipëri,” u shpreh z. Beqaj, duke shtuar se “ky është hapi i parë drejt mbulimit shëndetësor universal, por jemi të vetëdijshëm që nëse ua ofrojmë këtë të drejtë çdo qytetari, edhe banorëve të Shkrelit, por distanca e vendbanimit nga qendrat shëndetësore është e tillë që nuk është e afërt, na duhet të ofrojmë edhe njësitë e lëvizshme”.

Ky është dhe një hap tjetër jo vetëm drejt Aksesit Universal, por edhe drejt Cilësisë Universale, tha më tej Ministri Beqaj, “pasi siç mund të shihet, në këtë njësi të lëvizshme këtu, ofrohet çdo gjë që ofrohet në njësinë e check-up edhe në Tiranë, edhe në Shkodër”.

Ne po përpiqemi që edhe banorët këtu, të kenë mundësi ta kontrollojnë shëndetin e tyre të paktën një herë në vit dhe po përpiqemi ta spostojmë vëmendjen tek shërbimi parësor shëndetësor dhe ta spostojmë vëmendjen te shëndeti. Njerëzit që vijnë tashmë këtu nuk janë më pacientë por janë thjesht qytetarë, pasi sigurisht që shkenca dhe statistikat kanë treguar që pas moshës 40 vjeç fillojnë dhe shfaqen sëmundje, sidomos ato kardiovaskulare, të cilat nëse i zbulojmë hershëm, i trajtojmë me shumë më tepër efikasitet, u shpreh kreu i shëndetësisë në vend.

Ndërkaq, z. Sterkaj, duke falënderuar ministrin e shëndetësisë për përzgjedhjen, siç u shpreh ai, të Dedajt, fshatit të tij të lindjes për prezantimin e këtyre njësive të lëvizshme të kontrollit bazë mjekësor, ju bëri thirrje banorëve të komunës së Shkrelit dhe atyre të Malësisë së Madhe që t’i drejtohen këtyre qendrave shëndetësore të lëvizshme dhe qendrave të tjera shëndetësore për të kryer check-up-in, pasi do ta kemi më të lehtë, duke bërë profilaksi, që gjithsecili që ka nevojë më pas të drejtohet te specialisti përkatës.