Kontrolli mjekësor bazë

Çdo individ, sado i shëndetshëm, në një etapë të caktuar të jetës së tij (që nga mosha mesatare), është i rrezikuar nga sëmundjet si ato të zemrës dhe enëve të gjakut, goditjet ne tru, diabeti, sëmundjet e veshkave, disa forma të demencës, depresioni, etj.

Sëmundjet kronike jo-të-transmetueshme, veçanërisht ato kardio-vaskulare dhe tumorale, janë shkaktarët më të mëdhenj të vdekshmërisë në Shqipëri.

Ato janë sëmundje që kanë në bazë të tyre një stil jo të shëndetshëm jetese, prandaj është thelbësore që të mund të parandalohen duke u kapur në kohë dhe duke ndikuar në edukimin shëndetësor të popullatës për një stil të shëndetshëm jetese.

Në një masë dërmuese, barra e sëmundshmërisë në Shqipëri përcaktohet nga tre faktorë madhorë të rrezikut: ushqyerja jo e shëndetshme, presioni i lartë i gjakut dhe konsumi i produkteve të duhanit.

Individët e grupmoshës 40-65 vjeç kanë rrezik më të lartë për një sërë gjëndjesh shëndetësore jo të favorshme dhe pikërisht këta individë do të kishin përfitimin maksimal nga zbulimi i hershëm i sëmundjes së tyre.

Shfaqjen e këtyre sëmundjeve mund ta favorizojnë gjithashtu edhe disa faktorë të tjerë që lidhen me mënyrën e jetesës, stresin, trashëgueshmërinë familjare, etj.

Kontrolli shëndetësor nëpërmjet paketës së detyrueshme për moshat 40-65 vjeç, ka si qëllim të ndihmojë në uljen e rrezikut për të zhvilluar këto sëmundje të zakonshme dhe të rrezikshme, por që në kohën e sotme, është e mundur të parandalohen.

Nëse jeni në moshën 40-65 vjeç, ju do të merrni njoftimin dhe disa udhëzime më postë ose telefon nga Infermieri i Familjes, lidhur me paraqitjen, për të kryer kontrollin një herë në vit, në një afat kohor të caktuar (2-3 ditë) brenda muajit të lindjes. Kjo do t’ju ndihmojë që të keni lehtësi proceduriale, koha e pritjes të jetë sa më e shkurtër dhe e planifikuar.

Ajo që është më e rëndësishmja, në rast se ju paraqiten probleme me shëndetin, të diagnostikoheni dhe të trajtoheni sipas të gjitha rregullave, nga Mjeku i Familjes, i cili ju mbulon me shërbimin shëndetësor të ofruar në Qendrën Shëndetësore pranë zonës ku ju banoni.

Personeli infermier që do të ofrojë shërbimin e Paketës së Detyrueshme të Kontrollit Mjekësor për moshën 40-65 vjeç, është profesionalisht i aftë dhe i trajnuar për të gjithë elementët që përmban paketa e këtij shërbimi.

Gjatë kontrollit, rreziku për sëmundje do të vlerësohet nëpërmjet disa testeve të thjeshta dhe pyetjeve standart për stilin e jetës që bëni, mënyrën e ushqyerjes, dhe historinë mjekësore të familjes suaj. Do t’ju ofrohen këshilla të personalizuara dhe ndihmë për të ulur rrezikun e sëmundjeve dhe për të bërë një jetë sa më të shëndetëshme.

Këto do të përfshijnë këshilla për disa ndryshime të vogla por të rëndësishme për regjimin e ushqimit, ose çfare aktiviteti fizik duhet të kryeni sipas gjendjes shëndetesore dhe nivelit të rrezikut që ju konstatohet.

Nëse konstatohet rrezik i nivelit të lartë, do të trajtoheni me ndihmën e duhur mjekësore, si medikamente që kontrollojnë presionin arterial të gjakut (tensionin), diabetin, ose sëmundjet e veshkave, të shoqeruara me udhëzimet për rënien në peshë, ose lënien e duhanit, kontrollin e pirjes së alkoolit etj.

Është e këshillueshme për të gjithë personat që mund të përftitojnë, të mos e humbasin mundësinë për të kontrolluar gjëndjen e tyre shëndetësore, të paraqiten në kohën e caktuar për të marrë shërbimin që ofron Qendra Shëndetësore me anë të kësaj pakete kontrolli rutinë të përvitshëm, të kontaktojnë me Mjekun e Familjes.

Kjo do të thotë që të jeni të vëmendshëm dhe të veproni herët, për të përmirësuar ndjeshëm dhe në kohë shëndetin, për të gëzuar një jetë më të mirë dhe më të gjatë. Ndryshime të vogla, të vazhdueshme të mënyrës së jetesës, mund të bëjnë diferencë të madhe ndërmjet të sëmurit dhe të shëndetshmit.

Ndërkohë, nëse keni shqetësime që lidhen me shëndetin, mos prisni të vijë koha e përfitimit të Paketës së kontrollit mjekësor bazë, por drejtohuni pranë qendrës shëndetësore dhe kontaktoni me infermierin dhe mjekun e famljes në mënyrën e zakonshme.